May 8, 2024

Të dehem – Sylejman Qyqalla

Të dehem

Unë kam mjaft me se të dehem,
Saherë dua zbres në tëndin sy.
S’më duhet shishja të zhgrrehem,
Më fort se rakia më deh ti.

Unë kam mjaft me se të bëhem tapë;
zbres mbi trupin tënd,në të fryrin gji.
Dhe nga ëndrra zgjohem-te ti vij prapë,
Po më mori etja-në kroin tënd do pi.

Unë kam mjaft të dehem në magji;
me flokun tënd selvi do mbulohem.
Mbi lëkurën tënde biluri,do bëj poezi,
Si në një kopësht parajse do harrohem.

Shpërndaje: