Më thanë – Më tha me mllef Gjergj Fishta sot: “Mos shkruj,djalë,nëse e ke tutën! S’i duhesh dreqit në asnji botë po qe se të hujit ia fal lahutën!”
MË THANË…
Më tha me mllef Gjergj Fishta sot:
“Mos shkruj,djalë,nëse e ke tutën!
S’i duhesh dreqit në asnji botë
po qe se të hujit ia fal lahutën!”
Më tha dhimbshëm sot Pashko Vasa:
“Nuk je poet nëse hesht si mumje e rri!
Bëhuni bashkë,si bjeshkë,djemë e vasha
e mos ma gjymtoni të bukurën Shqypni!”
Më tha rreptë sot Dedë Gjo Luli,majë mali:
“Kush është ai,që ma ndyni flamurin?
Në të u betuam në të shenjtin unë e Qemali
Në je poet-mos ma luj,o djalë,gurin!”
Më qortoi fort rreptë sot Hasan Prishtina:
“Kush Kosovën ma shet për xhep të vet?
Me trollin bëhet pazar me shkie e shkina…
cili shqiptar nanën n’pazar ma qet?”
Flokët shkuli nga marazi Faik Konica:
“Kush ma lidh Pellazgjinë mua me Turqi
kush m’i bjen futat e korbave nga Irani…
e ma ndot gjuhën shqipe me dreqin e zi?”
Fort më erdhi turp nga ç’më tha Adem Jashari:
“Për çka dhamë gjakun ne,more vëlla?!
Dy vetë bashkë s’bahen-shqiptarin ha shqiptari
për nji zallogë të dreqit-vëllai- vëllanë e ha!”