Qyqallë (Në vend të një historie) – Sylejman Qyqalla
Sylejman Qyqalla – QYQALLË (Poezi)
(Në vend të një historie)
Dhe sot unë ruaj mbiemrin e emrit tënd,
s’hoqa dorë nga ti, mbi shpatulla kam historinë;
patjetër në një fushë a arë, shpirti im ka vend…
sa të bukur me këtë tokë do ta kishim Shqipërinë!
Më dhimbset bre, ajo tokë në Toplicë,
më dhimbset e zemra të çahet në dysh;
edhe atje në shqip, nëna fëmijës i dha sisë…
fshati Qyqalla, ku u rrit imi, i miri gjysh!
Më dhimbset çdo pëllembë e çdo baltë,
më dhimbsen, or lal, dhe fijet e njoma të barit!
Dhe ajo baltë që s’e pashë-më duket mjaltë…
ah, sa rënd peshojnë gjaku e loti i shqiptarit!
QYQALLË, seç më duket sikur te ti unë pashë dritën,
më vjen si ëndërr…sikur po punoja me gjyshin Riza!
Sa më dhemb zemra! Osmanët në në qafë na vunë thikën…
vallë, kush e mbjell atë tokë të shkretë, kur bujk më nuk ka?
Më dhimbset Qyqalla, më dhimbset Naisusi, kaq shumë,
më dhimbsen pafundësisht ato korije, ato fshatra!
Eh, fat i shkretë! Sa na dogjën e sa në Turqi na përzunë…
sa lëngojnë zemrat për Prekupjen, për fushat e pastra!
Sa më dhimbsesh, moj motër Çamëri;
një fat na ndoqi-mua dhe ty!
Sylejman Qyqalla