May 14, 2024

Të dua, Shqipëri – Sylejman Qyqalla

TË DUA,SHQIPËRI
Në të gjitha gjuhët të dua,Shqipëri,
Për kandil,të marr me vete kudo shkoj.
Siamezë u lindëm e u rritëm unë e ti…
Veç me uratën tënde sofrën shtroj.

Të dua në të gjitha gjuhët,imja nënë
Në daç të më thonë “albanac” e “arnaut”.
Veç me gjakun tënd në deje jam zënë…
“Arvanitas”-Sotiri-“Albaner”një Helmut.

Të dua,Shqipëri- në të gjitha stinët,të dua,
Me “Albane” ,”Albaneze”-e gdhendur në gur.
“Albanska” ime-gjithnjë me shkronjën “A”,
Alpinja ime qiellore-me më të bukurin flamur!

Të dua,perëndesha ime,o Diell dhe imja Hënë,
Unë biri yt,në prehrin tënd qesha e piva sisë!
Tërë botën shëtita,po veç ty,moj, të kam nënë…
Ti më mësove këngën e gjuhën e perëndisë!

Të dua,Shqipëri…pa ndrojtje e me guxim,
o lokja ime e gjuhës dhe e gjakut tim!

Shpërndaje: