May 12, 2024

Një Kosovë tjetër – Sylejman Qyqalla

NJË KOSOVË TJETËR

E desha bre unë krejt një Kosovë tjetër
(Kështu,më besoni,as në ëndërr s’e kam parë!)
Sërish,e mjera,mbeti peng nga ujqër të vjetër…
Si një jetime pa nënë e babë-prore duke qarë!

E desha,unë i mjeri,vërtet një Kosovë fare tjetër
(Më besoni,unë i kisha thurur një jelek prej ari!)
Sërish po thith gji të huaj-te ajo njerka e vjetër…
E lidhën sërish me zinxhirë pushti e zagari!

Më besoni,e desha Kosovën veç në gji të nënës
Ku ëndrrat i ka të bardha…veç ëndrra me diell!
Të thithë të kristaltin gjirin plot… te lokja e Tiranës…
Jo të cfilitur nga djem të prapët,që e shkojnë në hell!

E desha bre…veç një Kosovë…o,krejtësisht tjetër…
(A durohet,o vëlla,pari të kemi gomerët?!)
Me trojet e mia të Gjergjit…me Shqipninë e vjetër
Ku zemra e gjaku …kënga ime të mos therret!

Shpërndaje: