June 5, 2024

Shqipëri – Kurrë,Shqipëri,se të dua s’u pendova. (Ç’ne!A pendohet i biri se e do nënën?!). Ti më mbajte në këmbë e kurrë s’u rrëzova… Në ditë-Diellin-në natë më solle Hënën!

SHQIPËRI

Kurrë,Shqipëri,se të dua s’u pendova
(Ç’ne!A pendohet i biri se e do nënën?!)
Ti më mbajte në këmbë e kurrë s’u rrëzova…
Në ditë-Diellin-në natë më solle Hënën!

Kurrë,Shqipëri,s’u hamenda të të dua,
Por më digjet zemra se për ty bëra pak!
Me ty jam asht e palcë e mish e thua…
Jotja është zemra ime e çdo pikë gjak!

Kurrë,Shqipëri,me trupin tënd s’u ngopa,
Çdo gur e plis yti-më shumë se flori!
Më dhemb zemra,se të bënë copa-copa
Ndaj plagët dua të t’i shëroj në poezi!

Kurrë,Shqipëri,s’fjeta as u zgjova pa ty,
(Veç fryma jote me ëndrra më përkund!)
Shpirti më fle vetëm në ballin tënd-perri!
Mbretëreshë të bukurisë-si ti s’ka askund!

Shpërndaje: