Te Adem Jashari – Sylejman Qyqalla
TE ADEM JASHARI
(Vëllait tim,Nuhiut,që vdiq më 11 mars 2010)
Pyeta për ty… për vitet,o Nuhi djali
Pyeta,vëlla,se ku mbete…shumë për ty.
Më thanë:”Shkoi ca te Adem Jashari…
Aty,ku gjaku bëhet lule e këngë për Shqipni!”
Pyeta e pyeta…kaq vite…ku të zuri nata
Apo mbete me shokët… diku,në kuvend?
A mos u lodhe shumë nëpër demonstrata
Kosova të mos ikën as të mos mbetet peng?
Ç’deshi ajo lubi,që të lodhi e s’të mundi dot
Pandehu se u shove e mbi tokë ra kolera?
Ti për mua,ishe vigan e një lis mbete dhe sot…
Pas zërit tënd njerëzor-gjithnjë vjen pranvera!
U tunde nëpër vite-krah i fortë mua m’u bëre
“Çaj,vëlla,përpara!Do ta bojmë Shqipninë!”
Po,ç’pate,vëlla?Fort bre më godite kësaj here
Ç’deshi te ti vdekja?I le “Lahutën” e “Avninë”!
Pyeta për ty…a mos jam në ëndërr unë?Mundet…
Të gjithë më thonë:”Shkoi për ndejë te Adem Jashari”!
Atje,ku zjarri s’shuhet dot e Gjuha Shqipe s’tundet
Atje,ku shqiponja ka folenë e flet me zë shqiptari!
Sylejman Qyqalla