May 9, 2024

Theje gotën, Taulant (Xhaxhait tim, Shabanit) – Sylejman Qyqalla

THEJE GOTËN,TAULANT
(Xhaxhait tim,Shabanit)
Më kujtohet si sot,o i miri xha Shaban
Kur ne po shkonim diku,në dhe të huaj.
Po linim tokën tonë,po linim vatan…
Ti më thoshe:”Taulant-pije nji gotë ujë!”

Dhe më afruan një kovë ta mbushja gotën
Unë e piva…pa e kuptuar zakonin dot.
Isha pesë- vjeç fëmijë…s’e kuptoja golgotën
Ndërsa xha Shabani qante dhe fshinte lotë.

Një rrëmujë e zymtë nga robtë bëhej në oborr
Sa andej e sa këtej turmë njerëzish nëpër sokak.
Më dukej një gjëmë…sikur vajtohej te një varr…
Im atë Sula i trazuar…nga dënesa…s’fliste aspak.

Dhe sërish më afruan në rrëmujë kovën nga bunari
Të mbushja unë me ujë gotën…të pija përsëri.
“Theje gotën,Taulant!-thosh xha Shabani kryepari…
“Jo,xhaxhi Shaban…kur të kthehem,me çka ujë të pi?”

Më merr malli…tepër ky mall,për ty,xha Shaban…
Bardhi tundej …shtëpitë po zbrazeshin,fillikat.
O i mir i fisit…fjala jote-të gjallë,këmbëkryq të mban…
Pa ju,o pleq kosorë…çdo gjë më duket sakat!

Dhe tash u rrita,xha Shaban…dhe vetë u bëra baba…
Tash ta kuptoj lotin tënd të njelmur…kur qave fort.
Të të ikin fëmijët,si dallëndyshet…dhimbje si kjo-s’ka…
Po plagët,o i miri im…s’na u shëruan as sot!

(Kjo ngjarje është e vërtetë dhe atëherë dhe gazeta pati
shkruar për protagonistin -tim bir Taulantin,kur Kosova
po zbrazej nga regjimi )

Shpërndaje: