Poezinë time
POEZINË TIME
Kurrë s’kam dashur poezia ime të heshtë
Qoftë dhe tërë botën mbi kurriz t’ia ngarkoj.
As veten s’e dua të urtë,servil,një plesht
Nëse veç një shpirt njeriu i plagosur të rënkojë.
Kurrë s’e kam dashur poezinë qaramane
Si kukuvajkë të kukasë në lisa,degë më degë.
Më mirë të ma quajë e tërë bota:”Shejtane!”
Me gjithë mua në turrë drurësh të më djegë!
Kurrë s’e desha poezinë të ftohtë,si borë
(Ta dish,për dashuri,çaj dhe qiellin unë!)
Di të ndizem vullkan bashkë me luleborë…
Pulën e pjekur dhe gruan-s’i ha me pirun!
Kurrë s’e kam dashur poezinë “kavaliere”
Të jetë “e mirë” me NE “e mirë” me ATA.
Asnjë shkronjë imja,mos paftë sy pranvere
Po qe se s’i jap jetë e formë-çdo fjale që e tha!