“O moj Shqypni” – Ramiz Bërbatovci (Luftëtar i LNÇ, patriot, artist popullor) – Sylejman Qyqalla
RAMIZ BËRBATOVCI
(Luftëtar i LNÇ.,patriot,artist popullor)
“O MOJ SHQYPNI”
Kur shoh portretin tënd,dajë,s’shoh,thjesht,një Ramiz
Shoh një botë shqiptare-të tërën një histori.
Për armikun ishe një i çartut legjendash,një “iblis”
Për ne që të patëm:ishe dhe mbete “SHQYPNI”!
Kur të shoh ty,shoh Gjergjin e Vaso Shkodranin,
Me penë në dorë,me vargjet si malet-“hajmali”!
Që nga koka e deri te këmbët-damar kishe vatanin
Shqypnia,dajë,ishte Ramiz-ti ishe një SHQYPNI!
Dhe këngët e jugut,n’Kosovë na i bëre tapi
Hiqje e merrje”Na u mbush deti me vapora…”
Çdo pëllëmbë toka,dajë,na mbushe “Shqypni…”
Gjuhë e zemër e det- na i solle nga Vlora!
Dhe në odën tonë-sy e zemër-një teatër-miniaturë
(O sa shpejt,o dajë-si një minutë na ikte nata!)
Dhe xhaxhi Eshref çahej nga gazi nga kjo uverturë
Emri SHQYPNI mbushte e çante malet si shpata!
Ti ike shumë herët,por zjarrin na e lë në vatër,
Bashkë me nip Ramizin e me nipat Shaban e Rasim!
Ne të gjithë në odë-mendje e sy i bënim katër…
Me këngët “MOJ SHQYPNI”-flladitej dhe shpirti im!
Dale,dale…unë veç sa ia nisa- s’thashë gjë për ty
Çdo damar yti është këngë-e bukura Shqypni!