May 29, 2024

Më ndje, poezia ime – Më vjen turp të dukem kah ti,moj motër poezi. Të ngarkova pa masë…si deven në shkretëtirë. Desha të të çoja nëpër kroje,ku zogu ujë pi… Ja që,si ngjamë kohës…kësaj kohe me të lëpirë!

MË NDJE,POEZIA IME

Më vjen turp të dukem kah ti,moj motër poezi
Të ngarkova pa masë…si deven në shkretëtirë.
Desha të të çoja nëpër kroje,ku zogu ujë pi…
Ja që,si ngjamë kohës…kësaj kohe me të lëpirë!

Më ndje,poezia ime,të ngarkova pa fajin tënd
Të rashë hise të të ngarkoj në të pafatin brez!
Doja të të çoja ku çelin lulet e kënga zë vend…
Ja që,na ra hise,moj motër,kjo kohë ogurzezë!

Më ndje,poezia ime,o shpirti im siamez,më ndje
Më vjen turp të t’i shikoj gjithë këto trajsta plot barrë!
Nuk e di…ndoshta kësi barre…kishe po dhe dje…
Qenkësh zor të sjellësh diellin,për ata që hiqen zvarrë!

Më ndje,poezia ime…shpesh të degdisa dhe në flakë
Më ndje për dorën time…shpesh të bëra tërkuzë!
Desha të të rinoja mbi ujvara…të të mos bëja plakë
Ndaj dhe herë-herë të “mbyta” në faqe,gushë e buzë!

Shpërndaje: