May 9, 2024

Për të bukrin Atdhe – Nuk jam poet që ia mbaj kah të fryejë era, si mulli i prishur,që dhe nga erashka tundet.

PËR TË BUKURIN ATDHE

Nuk jam poet që ia mbaj kah të fryejë era,
Si mulli i prishur,që dhe nga erashka tundet.
S’jam iriq që rri i strukur nëpër shkurre e ferra
Dhe nëpër çdo gjellë,s’i fut dot të miat,hundët.

S’jam poet,që pret me kofshare në dorë,
Që pret se kush më parë do të rrëzohet.
Jam “kryeneç” dhe s’bëhem dot puthador
S’e vras dot muzën,se do të poshtërohet.

Nuk jam poet,që ngarend pas turmave skile
As “rrafsh” të shtrembrës kurrë s’ia kam bërë.
Asnjë shkronjë në letër-s’e hedh dot me hile
Po s’u shkriva me fjalën-pena nuk ka vlerë.

S’jam poet si struci që fut kokën nën dhe,
(Për pjesën “tjetër” -s’ka gjë-“s’prish punë!”)
Për të vërtetën dhe për të bukurin Atdhe
-Kurrë bre,s’do ta ha sapunin “për samun”!

Shpërndaje: